Rama: Nuk janë të mira shenjat për Ballkanin Perëndimor

“Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe kriza në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk janë shenja të mira për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë për gazetën “TA NEA”, me gazetaren Maria Vasileiou.

Rama u bëri thirrje faktorëve politikë në rajon, por edhe brenda Bashkimit Evropian, që “të jenë të kujdesshëm e që të mos nënvlerësojnë simptoma të tilla”, duke shprehur vlerësimin e tij se “gjërat nuk kanë arritur në një pikë ku t’i frikësohemi destabilizimit”.\

“Intervista u zhvillua mbrëmjen e së enjtes përmes WebEx, pak pasi Edi Rama u kthye në Tiranë nga Beogradi, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe zëvendëspresidentin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrof. Rama njofton për progres në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, për të cilën të trija palët kishin diskutuar në Forumin Ekonomik të Delfit, diskutuan për Turqinë, si edhe për marrëdhëniet greko-shqiptare”, thuhet në hyrjen e intervistës.

Intervista e kryeministrit Edi Rama:

TA NEA: A jeni i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, por edhe për shkak të krizës në Bosnjë-Hercegovinë? A ndani ju të njëjtin mendimin se Ballkani Perëndimor mund të jetë duke hyrë në një gjendje destabilizimi?

Edi Rama: Nuk jam i shqetësuar për momentin sepse nuk mendoj se gjërat kanë arritur deri në atë pikë sa të kemi frikë nga destabilizimi. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor e dijnë se destabilizimi nuk është i mirë për askënd, as për ata që sipas gjasave e synojnë destabilizim. Megjithatë, ne nuk gjendemi në një fazë të mirë dhe këto nuk janë shenja të mira. Duhet të jemi të kujdesshëm.

TA NEA: Cilët nënkuptoni se duhet të jenë të kujdesshëm?

Edi Rama: Si faktorët politikë brenda Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe jashtë tij, në Bashkimin Evropian, duhet të jenë të kujdesshëm. Nuk duhet të nënvlerësojnë simptoma të këtij lloji.

TA NEA: A ekzistojnë shqetësime për përfshirjen e forcave të tjera dhe të Turqisë në rajon, të cilat po përpiqen të largojnë Ballkanin Perëndimor nga BE-ja?

Edi Rama: Nuk jam në dijeni se ka ndonjë gjë që e lidh Turqinë me ndonjë formë apo trajtë destabilizimi.

Unë di se Turqia është një partner strategjik për Shqipërinë, siç është edhe Greqia, siç është edhe Italia. Turqia është një mik i ngushtë i Shqipërisë. Ne duam të forcojmë miqësinë tonë. Nuk shoh Turqinë të ketë një axhendë për të minuar kursin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *