Xavi zbulon mesazhin që pranoi nga Messi derisa arriti marrëveshjen me Barcelonën

Xavi Hernandez është prezantuar sot (e hënë) te Barcelona, duke e zëvendësuar kështu Ronald Koemanin e shkarkuar. Spanjolli bëhet trajner i skuadrës katalunase në një kohë kur kriza financiare i ka kapluar dhe prurjet e reja janë vështirë të realizueshme.

Por, derisa ishte i entuziazmuar në rikthimin e tij te Barcelona, Xavi ka zbuluar edhe mesazhin që Lionel Messi ia ka dërguar.

“Leo Messi me shkroi duke më uruar shumë fat. Është i pabesueshëm, por nuk është këtu si Eto’o ose Ronaldinho, ne duhet të mendojmë për të ardhmen, jo për lojtarët që më nuk janë te Barcelona”, ka bërë të ditur strategu i ri i Blaugranasve.

Tutje, Xavi konfirmoi bisedimet me presidentin Joan Laporta për transferimet e mundshme në afatin kalimtar të janarit.

“Jemi duke folur me presidentin Laporta për transferimet e janarit, sigurisht. Të shohim si Ansu Fati do shërohet, unë dua të luajë me sulmues të krahut të hapur, kemi disa lojtarë që luajnë në sisteme të ndryshme”, shtoi më tej ai.

Xavi ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2024 me Barcelonën, ndërsa tifozët shpresojnë që ai t’i rikthejë në rrugën e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *